Luftë e vogël e përkorë

ELVIRA DONES - Luftë e vogël e përkorë
Titulli i origjinalit: Piccola guerra perfetta

Parathënia: Roberto Saviano

përktheu nga italishtja: Adrian Beshaj

Revizionim e shqipërim: Elvira Dones

Botimet Dudaj, 2012

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Fill pasi ke lexuar këto faqe, mëson se nuk ekziston një luftë përnjëmend e rrëfyer, po të mos kesh dëgjuar rrëfi min e grave që e kanë përjetuar atë.
“Luftë e vogël e përkorë”, roman i shkëlqyer i shkrimtares Elvira Dones (…) është një libër i vogël që përmban gjithë tmerrin që mund të shpërthejë nga Kutia e Pandorës në një komunitet që shpërbëhet nga themelet. Një komunitet ku tjetri, fqinji, në fillim i afërt, për shkak të ndërhyrjes së një politike të marrë kthehet tashmë në Armik, në Të Keqen.
Ky roman i shkurtër ndërthur me origjinalitet e mjeshtëri dy fi je narrative – rrethimin dhe kthimin – tema që ushqejnë letërsinë që nga kohët e Homerit. “Luftë e vogël e përkorë” rrëfen rrethimin e çuditshëm të tri grave të ngujuara në shtëpi pa ushqim e pa ndihma, në një qytet tashmë pré e një armiku të egër. Dhe rrëfen, njëkohësisht, përpjekjen e pamundur të dy vëlle zërve adoleshentë për t’i shpëtuar dhunës së skajshme e vdekjes, drejt një shtëpie të re, një atdheu të ri të mundshëm.
“Luftë e vogël e përkorë” është një libër që kam mbaj tur me vete për një kohë të gjatë: në çantën e shpinës, në xhepin e xhakaventos, në trastën e ndenjëses cip me letra të makinës së shpurës sime.
(…)
Nuk është një roman lufte: kjo është lufta.
Ashtu si vetë Michael Herr ka thënë, ta rrëfesh luftën ashtu si vërtet është zhvilluar, “do të thotë të shkatërrosh çdo argument, çdo mendësi që ka çuar në atë konfl ikt dhe të shënosh pikën ku njeriu humbet mundësinë e të qenit njeri”.
“Luftë e vogël e përkorë” i autores Elvira Dones e merr për të mirëqenë këtë, dhe që prej andej niset. Për t’i rrëfyer botës nga këndvështrimi i njeriut që luftën e dhunën as i deshi, as i kërkoi, e as që mori pjesë të gatiste shfarosje, por në të kundërt padrejtësinë e pësoi.
Kur nga ky kënd, nga ky plan minimal, i hollë e madje i diskutueshëm, krijohet narrativë, gjithçka na shfaqet në një dritë rrezëlluese shpëtimi paradoksal.

ROBERTO SAVIANO

 
 
Dita e parë

    Vendosin ëmbëlsirën në tryezë. Sa e shpifur ka dalë, mendon Rea e qesh si tuhafe. Pas pak do të priten dritat. Nita i përgjërohet me sy, Rea ia kap dëshirën në ajër ndaj thotë se torta është shumë e bukur, vërtet. E treta e grupit, Besa, fshin duart në përparëse, ngul një qiri në tryezë dhe çel një hare që i del si kërcënim.
   – Hë tani Rea, –  thotë. – Shprehe dëshirën dhe e mbarojmë këtë punë!
    Sot është e mërkurë, 24 mars 1999. Ajo quhet Rea Kelmendi dhe kjo është dita e saj, ditëlindja e përkryer, një nga ato që s’harrohen dot as pas njëqind vjetësh. Do të mbetet një ngjarje shumë letrare; romantike tamam s’mund ta quash por letrare, po.
    Besa është e gjatë e madhështore, një farë gjallese në mish e kocka e kullës Eiffel. Rea tani qesh me zë. Besa e shpon me sy dhe mezi i qëndron cytjes për të parë orën në mur. Nita mendon se kjo është e gjitha një marrëzi: torta, qiriri e gjithë të tjerat, ndonëse kishte qenë ajo vetë që kishte këmbëngulur për këtë.
     Fiona, Vjosa dhe Edita kishin kaluar andejpari para dy orësh. I patën pëshpëritur Reas një gëzuar ditëlindjen, patën komentuar temperaturat tejet të buta për stinën e më pas kishin mbathur këpucët duke u bërë erë pa thënë as mirupafshim.
   Dritaret rënkojnë prej bombave që sapo kanë nisur të godasin tokën jo larg prej aty. Rea shpreson që të nxitohen, ta bëjnë njësh me tokën gjithë ç’lypset të rrafshojnë, madje po mundën të kryejnë gjithçka brenda natës, aq më mirë.
    Qiriri tani pret i ndezur. Rea shkund kokën për të ndier lëvizjen e flokëve e ndërkohë e kap vaji, që ajo më kot rreket të ndalë. Arti ende nuk ka telefonuar, i ekzaltuar siç është për pagëzimin e luftës, kurse ajo vetë provon ndjenja të vogla e të dobishme. Si tani, për shembull, që i duket vetja yll.
    – Hajt zemër, fryji këtij qiriri tani! – e zgjon Nita dhe buzëqesh, e mëndafshtë si ngaherë. Besa pret me thikë në dorë.
   Ditëlindësja qan e qesh.
    – Po ti dukesh si kasap, – i thotë mes ngulçit.
   E dritat priten bash atë çast. Besa tani vërtet duhet të ikë. Besniku, Alma e Drini e presin: valixhet e arratisë gati në korridor. Ajo përfytyron Besnikun tek rreket t’u flasë fëmijëve me ton hokatar për t’i çtrembur, pa dobi.
     Nita po jep e merr me një llambë me vaj. Më në fund Rea i fryn qiririt. Dritaret i kanë veshur me dy shtresa batanijesh leshi. Gjëmimi i bombave ndihet më pranë, më  kthjelltë tani. Bie telefoni. Nita ia doli ta ndezë llambën. Rea ngutet drejt aparatit në fund të korridorit. Diç pëshpërit. Para se të ulë receptorin thotë një Mirë pra, flasim pas gjysmë ore.
   Nita është avitur me dritën në dorë duke shkaktuar kërleshjen e hijeve në mure.
   – Ishte Hamza, – thotë Rea. – BBCja ka njoftuar fillimin e luftës. NATO po bombardon pozicione në Serbi e Kosovë. Hamza tha se do shohë të tjera lajme e do na marrë prapë.

 
 


ONLINE @ Shtëpia e Librit


 
 

Non è un romanzo di guerra: questa è la guerra.

dalla prefazione di Roberto Saviano

 
Un libro importante e sorprendente (…) Ogni oltre aspettativa

Fabio Fazio – Che tempo che fa

 

La riprova di quali atrocità possa richiudere la naturalezza della scrittura.

Nello Aiello – L’Espresso

 

Perturbante, bellissimo

Alessandro Mezzena Lona – Il Piccolo

 

Uno sconvolgente pedaggio pagato alla memoria

Francesco Romanetti – Il Mattino

 

In questo libro le parole cadono come bombe. Una dopo l’altra. Lentamente. Silenziosamente. In modo preciso.

Dagmara Bastianelli – RadioPereira

 

La grandezza del romanzo (e dell’autrice) sta nell’aver raccontato la guerra dal punto di vista delle donne.

Tiziana Lo Porto – La Repubblica Donne

 

Ci sono passaggi dolcissimi, pur nella loro drammaticità, che emozionano e rendono le nostre sensazioni tanto simili a quelle dei protagonisti.

Lorenza Mondina – Insubria Critica

 

È nei momenti più dolorosi, quelli degli stupri e delle carneficine, che la Dones offre la migliore prosa asciutta e salda, che non perde mai il controllo.

Fabio Mercanti – Le Reti di Dedalus

 

Drammatico, intenso, tragicamente semplice.

Paolo Pappatà – Mangialibri

 
 


ONLINE @ Shtëpia e Librit


 
 

(…)
Behgjet Jashari përpin rrugën me hapa të uritur. Larg syve të Hanës çlirohet dhe rënkon, ecën e rënkon. Rea e ndjek pa vështirësi; lanë pas lagjen duke rrahur rrugicat dytësore ku asgjë s’pipëtin, thua se lufta nuk është dukur andejpari.
Dikur vajza i lutet Behgjetit të ndalet, por ai s’i jep targë, shkelmon një gur, padashur hyn në një pellg me llucë dhe mallkon. Thëllimi të pret fytyrën.
– Behgjet, ndalu të thashë, dëgjon?
Burri bindet tani.
– Nuk janë atje. Fëmijët. Nuk janë atje hiç fare.
Pret që ai të kthehet, por burri i frikësohet lëvizjes si gjest; pastaj zërit të Reas; pastaj fjalëve në mes.
– I kanë marrë të gjithë, me kamion, thotë vajza lodhshëm. – Nita ia doli të mbërrinte sot deri në Kodrën e Trimave.
Behgjeti mbështetet me kujdes pas murit të një pallati. Ndez një cigare dhe ia zgjat një edhe Reas, pa pranuar kundërshtim. Ajo bindet rrufe se s’ka rrugë tjetër. Zgjat dorën tek mendon për të atin, Riza Kelmendin, për vetminë e një ati; për vetminë e gjithë burrave të Kosovës që tani etër dot nuk janë e po lënë që fëmijët të çalltisin vetë. Kështu, vajza tymos një të fortë në heshtje tok me Behgjet Jasharin, në emër të të gjithë etërve të botës.
Mos e harro këtë çast, i thotë ajo vetes. Ndoshta një ditë mund  ta pyesnin – ndoshta vetë djali i saj kur të rritej, një djalë i Artit a i dikujt tjetër, s’kish rëndësi – do ta pyesnin si ishte dita e parë, dita e dytë e luftës, dita e tretë, si ishin? Fillimi duhej të ishte joshës, s’kish si mos ishte të paktën i veçantë, përpara se e veçanta të bëhej vulgare dhe vdekja e vetmia të bëheshin njësoj të shkëmbyeshme.
Rea këtë çast do ta rrënjosë në kujtesë medoemos:
shiun e dobët që zbret nga qielli me zellin e një bombe dembele;
shpatullat e shtrembra të Behgjetit dhe buzëqeshjen e leskruar nga një jetë në të përpjetë;
hijeshinë e tij të sertë;
fjalët lidhur nyjë në fund të barkut;
mendjen kafshuar nga zagari i dhimbjes që s’do ta lëshojë deri në çastin kur të përqafojë fëmijët;
ankthin në profilin e burrit: tani i vetmi banor i një kurmi që dikur, në rini, kishte bërë dashuri i babëzitur me shpresën se po ta ngjizte aty, mu në atë çast atë djalë, nëntë muaj më vonë do ta quante Fatmir. Dhe ashtu pat ndodhur.
Blerimja kish mbërritur një vit më vonë si një dhuratë e difektuar, ngaqë Behgjeti, si gjithë burrat e tjerë, ishte përgatitur për një tjetër djalë.
Vështrimi i lehonës, tek shihte të shoqin zi nga zhgënjimi, pati lypur mëshirë. E sa për një emër vajze as kishte pse fjaloseshin.
– Vërja ti, – kishte murmuritur Behgjeti. – Meqë është jot bijë, quaje si të duash.
– Blerime, – kishte thënë Hana me të shpejtë. – Do ta quaj Blerime.
Për t’i bërë qejfin Behgjeti kish thënë se ishte emër i bukur, por mendja i kish shkuar te hera tjetër kur do ta kishte në shtrat për ta lënë përsëri shtatzënë.

– Me një fjalë, as që kishit ndër mend të ma thoshit. – Akuzon tani Behgjeti Rean.
– Nita nuk ta thoshte dot për shkak të Hanës, – shpjegon ajo.
– S’jam nga ata që s’dinë të mbajnë sekrete, unë, – shfryn ai.
Goja do të ta kishte ruajtur sekretin por sytë jo, i thotë ajo heshtaz. Sytë do ta kishin tradhtuar. Burri nis të tymosë një tjetër.
Rea kundron bishtin e cigares së vet. Në vend që ta hedhë përtokë, ulet galiç dhe e shtyp ngadalë me gishta, e gropos në baltë, i bën njëfarë ceremonie varrimi. Kështu ajo fiton kohë, me shpresën se dhimbja e Behgjetit, në krye e mprehtë sëpatë, do të zhdukë konturet, do të humbasë tehun e do të bëhet veç lot i heshtur. E vajza e di se ai lot do të kthehet në pellg, pastaj në liqen e së fundmi në një det ku mund të fundosesh, por mund edhe të shpëtosh, nëse ia del të kapësh bregun.
Ajo provon ta çojë mendjen gjetkë, tek flokët që janë bërë skandal e kanë nevojë për gërshërë; te malli për një dush të llastuar e të bollshëm; uh si ato yjet e kinemasë, siç e shpotiste ngaherë motra e madhe, Mevludja.
Behgjeti imition Rean, kryen funeralin e cigares së fundit e tok me të varros edhe fjalët. Pastaj marrin udhën e kthimit.

Hana po bënte piketë në prag të derës, kështu që çdo orvatje për t’i rrëshqitur do të ishte e kotë. Gruaja zhbiron me sy duart e të shoqit, pastaj fytyrën, dhe lëshon një britmë. Por është një britmë e arsyeshme, më shumë një nënbritmë, për të mos vënë në rrezik të tjerët. Behgjeti e shtrëngon ndër krahë, gojën varrosur në flokët e së shoqes, sytë ndryrë në një skutë krejt të vetën, ku kërkush nuk do të mundet më të hyjë.


Print pagePDF pageEmail page