recensime

(Beqë Cufaj
gazeta Koha Ditore, 15-09-1997)

Nëse do të kishte ndonjë interes të posaçëm atëhere duhet thënë se autorja shqiptare Elvira Dones futet në rrjedhat e letërsisë shqipe me një rrugë të cilën përgjithësisht fare pak autore tonat e kanë provuar. Përderisa shumica e tyre zakonisht debutet e tyre i kanë dhënë me poezi, Dones starton me prozë. Dhe madje me një roman i cili titullohet “Dashuri e huaj”.

Është ky një libër i cili mund të “tregohet/përmblidhet” në dy tri pika të cilat në shikim të parë duken krejt të thjeshta, por që në prapavijën e tyre fshihet një botë interesante e cila shtresohet edhe në realitetin i cili e rrethon lexuesin gjatë jetës që e gjen a e bën në këtë libër. Ky roman ka disa rrafshe ndërtimi. Atë kohor: periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Atë hapsinor: ndërlidhur po me këtë diktaturë – ndërtimi i të lëvizurit dhe të dalit jashtë shtetit – që është një simbol i burgut kolektiv dhe njëmendësisë totalitare. Atë psikologjik: të realizuar përmes këndvështrimit, përjetimit dhe natyrisht veprimit – kuptohet në vetën e tretë, e cila fare lehtë provohet – sidomos nga fundi, që është e para, të karakterit Klea Borova.

Procedeu shumë realist, me disa thyerje/kursive të lehta lirike si kujtime “intermexo” – për detin, të dashurin dhe në fund djalin – e që librin e freskojnë dukshëm (ndoshta do të kishin mundur edhe më shumë), tenton që të fusë lexuesin në një botë të ngërthyer me shumë karaktere, procese individuale e kolektive të cilat janë drejtpërdrejtë të lidhura me Klea Borovën. Aq don të jetë besnike kjo ndërlidhje mes faksionit dhe fiksionit, saqë nganjëherë zhytesh thjesht në rrjedha të një realiteti i cili (qëllimshëm) s’të len të kesh një imagjinatë letrare të rrumbullakuar për ngjarjet e imazhet për të cilat flitet aty. Ndoshta kjo është një lloj katarsis intelektual e letrar i cili do të duhej të shërbente si model i përkohshëm teknik por edhe artistik për shkrimtarët e Shqipërisë, shumica prej të cilëve kanë shkruar letërsi të MIRË për JETËN e mirë, relacionet e mira në këtë proces etj. E procedeu letrar në “Dashuri e huaj” është edhe realisht edhe artistikisht E KUNDËRTA e jetës së mirë që është shkruar dhe programuar në pamfletet artistike letrare të Shqipërisë së 50 vjetëve sa ka sunduar kjo periudhë. Një kacafytje me vetveten, një kthim prapa i domosdoshëm për t’u përjetuar katarsisi jetësor e letraro/intelektual shqiptar. Dhe krejt kjo nga prizmi (mëse i ndjeshëm!) i një femre e cila është nënë, e pashme dhe inteligjente.

Ndërsa në tregimin e saj të gjatë në dorëshkrim “Vetura e ndryshkur” kemi të bëjmë po ashtu me një përpjekje edhe më të gjerë që të shënohet periudha e shtypjes në Shqipëri. Këtu duket s’ka shenja autobiografike sa ka shenja të dhimbjes dhe shtypjes që njeriu i thjeshtë ka pësuar gjatë regjimit komunist. Prozë e angazhuar? Po. E angazhuar jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht. Pra një prerje, një përpjekje e cila tenton që një periudhë të tërë 50 vjeçare të shtypjes çfarë s’e ka njohur askush, ta përfshijë historinë e Kasemit, shoqes së tij Barijes dhe fëmijëve Linditës e Arturit si edhe motrës së Kasemit, Mukadez.

Kasemi ka një veturë, dhe ajo veturë – të cilën ai është i detyruar ta fshehë për 50 vjet të tërë pasi që partia s’lejonte ndonjë pronë private e më së paku makinë – fillon dikur të ndryshket. Kasemi megjithatë, fshehurazi beson dhe ëndërron që do të vijë një ditë kur ndryshkurina do të dalë dhe do ta shohë dritën e lirisë. Pra një veturë e cila nuk është top i një njeriu (Njeriu me top!) që don të vrasë apo mbrojë dikë nga dikush, por një hekurinë e cila don vetëm dritë dhe lëvizje të lirë. Një veturë e cila e përcjell (e mbuluar nga fashat e kohës së shtypur) historinë e ngritjes së familjes së Kasemit, Barijes dhe fëmijëve, e sidomos Mukadezit, motrës së Kasemit, që bëhet sinonim i zonjës së fuqishme e cila vetëm me daljen jashtë shtetit (përsëri jashtë/në anën tjetër) kthjellohet dhe e sheh sa iluzore dhe larg janë përrallat e dëgjuara me dekada të tëra. Këtë, siç duket, e ka ndier gjithmonë Kasemi i heshtur me hekurinën e tij e cila ia ushqen besimin se do të vijë dita.

Edhe në këtë prozë Dones s’përton që drejtpërdrejt të flasë me dhe për regjimin, por me stade dhe gjykime të tjera – mbase më të ulëta se te romani i saj. Kjo është kështu ndoshta edhe pse kronika familjare e ndërlidhur me veturën e ndryshkur do të mund të ishte vetëm një skicë – e, edhe si e këtillë e mban vlerën e saj për guximin e qasjes në tematikën që ka të bëjë me përsëri me realitetin TJETËR, e cila mbase një ditë mundet edhe të fitojë më shumë në një procede edhe më të thellë, qoftë rrëfimor, qoftë psikologjik.

Për fund duhet thënë se dalja në dritë e shkrimeve të Elvira Donesit është me interes jo vetëm pse kemi të bëjmë me një AUTORE shqiptare, por edhe për shkak të guximit të saj që me shpalosjet autobiografike dhe realitetin TJETËR ta provojë katarsisin artistik e jetësor në të cilën, a me të cilën, autorët nga Shqipëria shumicën e rasteve përtojnë ta marrin dhe trajtojnë. Autorja Dones është treguese se një gjë e këtillë duhet domosdoshmërisht të bëhet. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të flitej më pas edhe për REALITET E TJERA.
Beqë Cufaj – Koha Ditore





Print pagePDF pageEmail page